Përshkrim
Limoni veçanërisht vlerësohet për vetitë dezinfektuese dhe kundër hemorragjisë. Për qëllime mjekësore përdoren lëvozhga dhe lëngu i frutit të limonit. Lëvozhgat, pasi qërohen nga pjesa e bardhë sfungjerore e brendshme, thahen me kujdes në stufa, në temperaturë të ulët deri në 40°C. Në temperaturën e zakonshme nuk thahen, pasi myken nga lagështia e mjedisit. Gjithashtu, kanë gjetur përdorim praktik farat, gjethet dhe lulet e limonit. Lëngu i limonit ka gjetur përdorim si freskues në prodhimin e limonadës, në përgatitjen e ëmbëlsirave dhe të kuzhinës shtëpiake. Limoni përdoret për përgatitjen e limonatave, sikurse portokalli e mandarina. Vetitë mjekësore të limonit kushtëzohen nga prania në të e një sasie të madhe vitaminash, kryesisht të vitaminave C dhe P. Nga të gjitha agrumet, frutat e limonit kanë efekt shërues më të theksuar. Ato përdoren kundër sëmundjeve që shoqërohen me ethe, janë freskuese dhe ulin temperaturën. Efekt të dukshëm ato japin në hipovitaminozat dhe avitaminozat. Limonat konsiderohen si ilaçi më i mirë antiskorbutik dhe duhet të përdoren nga të gjithë. Limoni ka veti të mira tretëse në stomak, është freskues i këndshëm dhe nxit oreksin që mund të jetë prerë nga sëmundje të ndryshme. Në këto raste përdoret lëngu i limonit në trajtë limonade ose i shtuar në çaj apo në gjellë. Në sajë të vetive rrudhëse dhe antitoksike, lëngu i limonit përdoret me efekt kundër barkut dhe diarresë, me pak ose pa sheqer. Rezultate të mira ka dhënë lëngu i limonit gjatë përdorimit kundër acarimeve të mukozës së gojës dhe të grykës, duke bërë larjen dezinfektuese në formë gargarash.
Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.