Përshkrim
Veza, falë vlerës biologjike që kanë përbërësit e saj, përfaqëson një ushqim të veçantë për njeriun. Prodhimi i vezëve gjatë dy dekadave të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme, çka lidhet me dëshirën e madhe të konsumatorëve për të marrë ushqime me vlerë biologjike të lartë. Të ushqyeshme dhe të shumanshme në përdorim, vezët përmbajnë vitamina, minerale, yndyrna dhe proteina të plota. E verdha përmban pjesën më të madhe të proteinave, vitaminave, yndyrnat e mineralet, ndërsa e bardha përbëhet nga ujë dhe pak proteina. Vezët mund të përdoren të ziera, të zhytura në ujë pa lëvozhgë, të skuqura, të thyera ose të pjekura në omëletë. Mund të shërbehen të vetme në një pjatë, apo të jenë pjesë përbërëse e shumë pjatave: antipastave, ëmbëlsirave, biskotave, tortave etj. Duhet theksuar që vezët janë një burim i shkëlqyer i proteinave. Proteina e vezës ka një vlerë të lartë biologjike sepse përmban të gjithë elementet esencialë të domosdoshëm për trupin e njeriut. Gjithashtu veza është burim i të gjitha vitaminave B, si edhe ka sasi të mira të vitaminës D dhe C. Vezët përmbajnë mineralet më të rëndësishme që i duhen organizmit dhe kanë kontribut të rëndësishëm në dietën e shëndetshme të njeriut, si: Na, K, Mg, Fe, Ca etj. Veçanërisht vezët janë të shkëlqyera dhe shërbejnë si burim i Jodit që nevojitet për hormonin Tiroidinë, si dhe burim i Fosforit që nevojitet për kockat. E bardha e vezës përfaqëson rreth 56 % të peshës së saj. Është një masë albuminoze më e hollë në pjesët që janë më afër lëvozhgës dhe përmban rreth 88 % ujë. Në dy skajet, në drejtim të majës dhe të fundit të saj, veza ka dy fijëza përdredhëse, që quhen kalaza ose bilancier. Këto lidhin masën e vezës me lëvozhgën. Në saj të këtyre bilancierve, e verdha, megjithëse ka dendësi më të madhe, qëndron në mesin e vezës. E verdha e vezës ka një formë sferike. Në sipërfaqen e saj ka një membranë të hollë, që quhet membranë vitalinë. E verdha është pjesa më e rëndësishme ushqyese e vezës, e domosdoshme për zhvillimin e zogut gjatë zhvillimit në fazën embrionale deri në ditët e para pas çeljes. Ajo përmban rreth 16.6 % proteina me vlerë shumë të lartë ushqyese.
Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.